Nusja i lutet Zotit për Romën. Në Romë prehen eshtrat e shumë e shumë martirëve. Tre gradët e përsosshmërisë së krishterë. Nusja sheh një vegim dhe pastaj i shfaqet Krishti për t’i shpjeguar vegimin.
Libri 3 – Kapitulli 27

O Maria, unë nuk jam treguar e mirë, por prapë të këkoj të më vish në ndihmë. Po të lutem që të ndërmjetësosh për qytetin e madhërueshëm dhe të shenjtë të Romës. Fizikisht shoh se disa prej kishave ku prehen eshtrat e martirëve janë braktisur. Disa prej tyre frekuentohen, por zemra dhe sjellja e rektorëve të tyre janë larg Hyjit. Le t’i mëshirojë Hyji sepse unë kam marrë vesh se është shkruar se Roma ka shtatëmijë martirë për çdo ditë të vitit. Edhe pse nderi i tyre në qiell nuk cënohet nga mosnderimi i eshtrave të tyre këtu në tokë, prapë të kërkoj që shenjtërit e tu dhe reliket e tyre këtu në tokë të nderohen më shumë dhe në këtë mënyrë të nxitet edhe devotshmëria e njerëzve."

Nëna u përgjigj: "Nëse do të matje një parcelë toke njëqind fut të gjatë dhe po aq të gjerë dhe ta mbillje dendur me grurë të cilësisë më të lartë ku distanca nga një kokërr tek tjetra të ishte sa një gisht dhe secila kokër të jepte fryt njëqindfish, prapë do të kishte më shumë martirë dhe dëshmitarë feje romakë nga koha kur Pjetri erdhi në Romë me përvujtëri deri kur Celestini u largua nga froni i krenarisë e iu kthye jetës vetmitare.

Por unë po u referohem atyre martirëve dhe dëshmitarëve të cilët kundër mosbesimit predikuan besimin e vërtetë dhe kundër krenarisë predikuan përvujtërinë dhe vdiqën apo ishin gati të vdisnin për të vërtetën e fesë. Pjetri dhe shumë të tjerë ishin aq të urtë dhe të zellshëm në përhapjen e fjalës së Hyjit saqë do të kishin qenë gati të vdisnin për çdo njeri nëse do të mundeshin. Por ata kishin merak edhe që të mos merreshin papritur nga mesi i atyre që ata i kishin mëkuar me fjalë ngushëlluese dhe predikime, pasi ata dëshironin më tepër të shpëtonin shpirtrat se jetën dhe reputacionin e vet. Ata ishin edhe të kujdesshëm prandaj shkonin të punonin fshehurazi gjatë kohërave të persekutimit për të bërë për vete dhe për të mbledhur bashkë një numër më të madh shpirtrash. Në periudhën e këtyre të dyve, domethënën nga koha e Pjetrit deri në kohën e Celestinit, jo çdo njeri ishte i mirë, por ama jo çdo njeri ishte i keq.

Tani le të caktojmë tre gradë ose tre rangje, siç po bëje vetë: pozitive, relative dhe superlative, ose mirë, më mirë, më e mira. Rangut të parë i përkasin ata mendimet e të cilëve ishin kështu: 'Ne besojmë gjithçka që mëson kisha e shenjtë. Nuk duam të mashtrojmë askënd por t’i kthejmë të zotit gjithçka të marrë pabesisht dhe duam t’i shërbejmë Hyjit me gjithë zemër.' Ka patur njerëz të tillë në kohën e Romolos, themeluesit të Romës dhe, sipas asaj që besonin, ata mendonin kështu: 'Ne e kuptojmë nga krijesat dhe pranojmë se Hyji është krijuesi i gjithçkaje prandaj dëshirojmë ta duam mbi gjithçka.' Kishte shumë që mendonin edhe në këtë mënyrë: 'Kemi dëgjuar nga Hebrenjtë se Hyji i vërtetë është shfaqur me mrekullira të qarta. Prandaj, sikur veç ta dinim ku të besonim, aty do të besonim.' Mund të themi se të gjithë këta i përkasin rangut të parë.

Në kohën e caktuar, Pjetri mbërriti në Romë. Ai i ngriti disa njerëz në rangun pozitiv, të tjerë në rangun relativ dhe të tjerë në rangun superlativ. Rangut pozitiv i përkisnin ata që e pranuan fenë e vërtetë dhe jetuan në martesë apo në ndonjë gjendje tjetër të nderueshme. Rangut relativ i përkisnin ata që hoqën dorë nga zotërimet e veta si pasojë e dashurisë për Hyjin dhe u dhanë të tjerëve shembullin e një jete të mirë me fjalë, shembull dhe vepra dhe nuk vinin asgjë para Krishtit. Rangut superlativ i përkisnin ata që dhanë jetën fizike nga dashuria për Hyjin. Por le t’i shqyrtojmë këto rangje për të zbuluar ku ka tani dashuri më të flaktë për Hyjin. Le të shohim mes radhëve të kalorësve dhe të të diturve. Le të kërkojmë mes rregulltarëve dhe atyre që i kanë kthyer shpinën botës. Këta njerëz mendohet që i përkasin rangut relativ dhe superlativ. E megjithatë pak të tillë ka.

Nuk ka jetë më të vështirë se jeta e një kalorësi, nëse vërtet ai jeton sipas thirrjes së tij. Murgu duhet të veshë mantel me kapuç, ndërsa kalorësi duhet të veshë diçka edhe më të rëndë, veshje me parzmore. Murgu e ka të vështirë të luftojë kundër dëshirave të trupit, ndërsa kalorësi e ka edhe më të vështirë t’u bëjë ballë armiqve të armatosur. Murgu duhet të flejë në shtrat të fortë, ndërsa kalorësi e ka edhe më të vështirë sepse duhet të flejë me gjithë armë. Vetëpërmbajtja për murgun është barrë dhe shqetësim, ndërsa për kalorësin është edhe më e rëndë barra e vazhdueshme e frikës për jetën. Kalorësia e krishterë nuk u themelua nga lakmia për pasuri tokësore, por për të mbrojtur dhe për të përhapur fenë e vërtetë. Për këtë arësye, rangu kalorsiak dhe rangu monastik duhet menduar se i përkasin rangut superlativ ose relativ. E megjithatë nga çdo rang ka patur dezertime sepse dashuria për Hyjin ka degjeneruar në lakmi për botën. Mjaft t’u japësh edhe një verdhushkë dhe prej të tre rangjeve shumë do të heshtnin në lidhje me të vërtetën për të mos e humbur verdhushkën duke thënë të vërtetën."

Nusja flet përsëri: "Pashë edhe diçka që dukej si një mori kopshtesh në tokë. Në kopshte pashë trëndafila dhe zambakë. Në një parcelë të madhe pashë një arë njëqind fut të gjatë dhe po aq të gjerë. Në çdo fut ishin mbjellë shtatë kokrra gruri dhe çdo kokërr dha fryt njëqindfish.
Pastaj dëgjova një zë që tha 'O Romë, Romë, muret e tua janë rrënuar. Prandaj portat e qytetit nuk ruhen. Enët e tua po shiten. Prandaj altarët e tu janë braktisur. Flija e gjallë bashkë me incensin mëngjesor digjet në portik. Nga shenjti e shenjtërve nuk vjen aromë e ëmbël dhe e shenjtë.' "

Menjëherë u shfaq Biri i Hyjit dhe i tha nuses: "Do të të tregoj kuptimin e gjërave që pe. Toka përfaqëson gjithë territorin ku tani është përhapur feja e krishterë. Kopshtet përfaqësojnë ato vende ku shenjtërit e Hyjit fituan kurorën. Në paganizëm, domethënë në Jeruzalem dhe në vende të tjera, kishte shumë nga të zgjedhurit e Hyjit, por vendet e tyre nuk t’u treguan. Ara njëqind fut e gjatë dhe po aq e gjerë përfaqëson Romën. Nëse të gjitha kopshtet e botës mbarë do të vendoseshin rrotull Romës, Roma do të dukej po aq madhështore përsa i përket numrit të martirëve (po flas materialisht), sepse është vendi i zgjedhur për dashurinë e Hyjit.

Gruri që pe në çdo fut toke përfaqëson ata që kanë hyrë në qiell në sajë të mbajtjes nën kontroll të trupit, pendesës dhe dlirësisë së jetës. Trëndafilat e paktë përfaqësojnë martirët e përskuqur nga gjaku që derdhën në rajone të ndryshme. Zambakët janë dëshmitarët që e predikuan dhe konfirmuan fenë e shenjtë me fjalë dhe vepra. Sot mund të them për Romën atë që profeti tha për Jeruzalemin: 'Dikur drejtësia banonte në të dhe princat e saj ishin princër paqeje. Tani ajo është shndërruar në zgjyrë dhe princat e saj janë bërë vrasës.'

O Romë, sikur ta dije historinë tënde, me siguri do të qaje dhe nuk do të gëzoheshe. Dikur Roma ishte si tapet i lyer me ngjyra të bukura dhe i endur me fije të fisshme. Toka e saj ishte lyer me të kuqe, domethënë me gjakun e martirëve dhe endur, domethënë e përzier, me eshtrat e shenjtërve. Tani dyert e saj janë braktisur sepse mbrojtësit dhe rojtarët i janë kthyer kurnacërisë. Muret janë rrënuar dhe nuk ruhen sepse asnjë nuk merakoset për rrënimin e shpirtrave. Përkundrazi, kleri dhe populli, që janë muret e Hyjit, janë hallakatur andej këtej për t’iu përkushtuar interesave tokësore. Enët e shenjta shiten me mospërfillje sepse sakramentet e Hyjit administrohen për para dhe interes.

Altarët janë braktisur sepse prifti që celebron i ka duart bosh përsa i përket dashurisë për Hyjit dhe i mban sytë tek ofertat; edhe pse ka Hyjin në duar, zemra e tij nuk e ka Hyjin brenda pasi është plot me kotësirat e botës. Shenjti i shenjtërve ku flijohej flija më e lartë përfaqëson dëshirën për të parë Hyjin. Nga kjo dëshirë duhet të ngrihet lart dashuria për Hyjin dhe të afërmin dhe aroma e vetëpërmbajtjes dhe virtytit. Por flija tani flijohet në portik, domëthenë në botë, pasi dashuria për Hyjin është transformuar krejtësisht në vanitet tokësor dhe mungesë vetëpërmbajtjeje.

E tillë është Roma, siç e pe fizikiksht. Shumë altare janë braktisur, ofertat shpenzohen në taverna dhe ata që i japin gjejnë më tepër kohë për botën se për Hyjin. Megjithatë duhet ta dish se shpirtra të panumërt janë ngjitur në qiell nga koha e Pjetrit të përvuajtur deri në kohën kur Bonifaci u ngjit në fronin e krenarisë. Romës prapë nuk i mungojnë miqtë e Hyjit. Nëse do të ndihmoheshin ca, ata do ta thërrisnin Hyjin dhe Ai do të kishte mëshirë për ta."